E diela shqiptare - Shihemi ne gjyq! (07 prill 2019)
Вставка
- Опубліковано 29 жов 2024
- www.tvklan.al Talk-show LIVE nga Ardit Gjebrea ne KLANHD & TVKLAN; Manushaqja dhe Enveri janë nga qyteti i Lushnjes. Ata janë motër e vëlla, të dy të divorcuar dhe ndajnë një shtëpi dy katëshe. Arsyeja përse ishin këtë të diel në rubrikën “Shihemi në Gjyq” ishte pikërisht kjo pronë, e cila ndodhet në një truall ku bashkëpronarë janë edhe xhaxhallarët e tyre.
Në këtë shtëpi dy katëshe, katin e parë e ka ndërtuar zoti Enver me të ardhurat e tij nga emigracioni. Katin e dytë e ka bërë vëllai i tyre i ndjerë, i cili ka vdekur para prindërve të tij dhe e ka lënë amanet, që shtëpia do t’i ngelet atij që do t’i shërbejë prindërve. Ky person është pikërisht Manushaqja, e cila aktualisht jeton në katin e dytë. Por ajo thotë se vëllai po e nxjerr jashtë, sepse po e vendos këtë kat në emrin e tij dhe jo vetëm kaq.
Ajo shkon edhe më tej dhe pretendon se vëllai ia ka dhënë gjysmën e shtëpisë djalit të xhaxhait, pretendim ky që në fakt gjatë seancës bie poshtë.
“Meqenëse se ka qenë një ndërtim pa leje, Enveri duke qenë pronar i katit të parë ka pasur të drejtën të shkojë të aplikojë pranë Drejtorisë së ALUIZNI-t Lushnje dhe këtë ka bërë, duke e vënë shtëpinë në emrin e tij. Manushaqja me të drejtë thotë për çfarë arsyeje shkon Enveri dhe bën një aplikimit të tillë ndërkohë që kam jetuar unë me prindërit? Në fakt në kohën që prindërit ishin gjallë, mund ta bënin ata këtë aplikim“, tregon juristja Eni Çobani, e cila e pyet zotin Enver për arsyen se përse aplikoi në emër të tij, edhe për katin e dytë të banesës, ndërkohë që pranon këtë kat e ka bërë vëllai i tij?
Vetë zotëria nuk di të japë një përgjigje të qartë për këtë dhe kjo bën që edhe në studio, mes tij dhe së motrës të kishte debate e akuza.
Enver Haxhiu: Po boll moj se ma çave… se ma ke enjtur kokën. Mirë ti, po të gjithë kundra meje, me komshinj, me kushërinj, sikur kam vrarë gjithë Lushnjen. Unë s’kam vrarë njeri i shkreti… edhe pasurinë e kam vënë me djersën time.
Manushaqe Haxhiu: Ky është i ligu i shtëpisë dhe i miri i botës…
Si Manushaqja edhe Enveri kanë problematika shumë të mëdha. Të dy vijnë nga dy divorce, Manushaqja ka edhe një vajzë, ndërsa Enveri është komplet vetëm.
Manushaqja ka shërbyer tek prindërit, por nuk ka kontribut financiar në banesën dy katëshe. Nga ana ligjore, në fakt kjo pasuri ka qenë e vëllait, i vdekur para prindërve. Në bazë të ligjit, pasuria duhet t’i kalonte detyrimisht të dy prindërve gjallë dhe pas vdekjes së tyre të gjithë motrave dhe vëllezërve.
“Zonja thotë që kjo gjë më është thënë me gojë nga motrat që ma kanë falur, por me letër nuk ka gjë, sepse zoti Enver ka bërë një shtëpi në vitin 1992, e ka regjistruar në vitin 1994 dhe sot në fakt nuk ka një certifikatë pronësie të kësaj banese, të rinovueshme, sepse i mungon një dokument. Por besoj se do ta bëjë shumë shpejt, sepse është pranuar njëherë që kjo shtëpi është e Enverit”, sqaron juristja Çobani.
“Tani, unë nuk kam dokumente që kjo banesë t’i ketë kaluar njeriu tjetër, me një emër të caktuar. Kështu që Enver, ti sot në këtë seancë je pronar vetëm i katit të parë. Ke bërë një aplikim për katin e dytë, në katin e dytë jeton vetëm Manushaqja. Marrëdhënia juaj është shumë e acaruar, nuk komunikoni më. Në këto kushte që jemi dhe pranoni që e ka bërë vëllai katin e dytë, nesë ju do të bëheni pronar i katit të dytë, çfarë keni bërë ndërmend të bëni me këtë pronë?”
“Zonja Eni unë këtë pasuri unë do t’ia dhuroj dikujt që do të më shërbejë mua në moshë pleqërie…, përgjigjet zoti Enver.
Manushaqja pretendon se shtëpia do t’i shkojë djalit të xhaxhait, por juristja Çobani thotë se nuk disponon dokumente që ta vërtetojnë këtë.
“Unë po të them vetëm një gjë, shtëpia njëherë do të regjistrohet në origjinë. Trualli dhe banesa në origjinën e zotit Mexhit (gjyshi). Pas Mexhitit do të bëhet pjesëtimi në emër të djemve të Mexhitit. Ajo pjesa takuese e zotit Haxhi, do të pjesëtohet në emër të 7 fëmijëve të Haxhiut dhe të gjithë këta fëmijë që do të ta lenë ty pasurinë, bashkë me ty dhe Enverin përpara një noteri të ta dhurojnë pjesën dhe të marrësh pjesën takuese. Ndërkohë, zoti Enver në aplikimin që ka bërë në katin e dytë, mendimi është i imi, por vendimi është i atij, të fusësh brenda aplikimit edhe zonjën Manushaqe”, thotë Çobani, kërkesë që duket se pas shumë debatesh u pranua nga zoti Enver.
Enver Haxhiu: Dakord Zonja Eni.
Në këto kushte, juristja Çobani i kërkoi Manushaqes që të ndihej e qetë, ndërsa nuk la pa vlerësuar sakrificën e saj të madhe për t’i qëndruar pranë deri në momentin e fundit prindërve.
“Rri e qetë, ti ke bërë një vepër të jashtëzakonshme që duhet ta bëjë çdo fëmijë në fakt. E kemi detyrë dhe përgjegjësi si fëmijë që t’i rrimë afër prindërve. Bravo që i ke qëndruar pranë. Shumë shpejt do ta kesh edhe banesën. Unë e kuptoj që Enveri është i penduar edhe për shumë veprime që ka bërë”.